Seanca gjyqësore ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më 12 nëntor, në orën 09:00, pasi avokati i tij, Artan Gjermeni, kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes. Gjermeni do të jetë pjesë e ekipit të mbrojtësve të interesave të Veliajt në këtë çështje të ndjeshme.

Gjykata ka vendosur që seancat e mëtejshme të zhvillohen çdo të hënë, për të mundësuar vazhdimin e procesit gjyqësor pa vonesa të mëtejshme.

Kujtojmë se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurimit personal, duke lënë në fuqi vendimin për arrest në burg. Veliaj është arrestuar më 10 shkurt të këtij viti, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, ka ndërtuar një skemë të sofistikuar korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar paligjshëm nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenët dhe kontraktorët që bashkëpunonin me të.

Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë, të cilat janë përdorur kryesisht për blerje luksoze online nga bashkëshortja e tij. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e këtij rasti të rëndë të korrupsionit.