Është shtyrë seanca gjyqësore në GJKKO ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 27 prill, në orën 12:00.
Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit dhe, sipas raportimeve, nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me mungesën e tij.
Gjithashtu, mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij dhe nuk ka vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ngriti shqetësimin për mungesën e njoftimit të të pandehurit nga ana e burgjeve, duke theksuar se kjo situatë përbën shkak për moszhvillimin e seancës. Ai kërkoi që, nëse seanca shtyhet, të caktohet sa më shpejt data e radhës.
Ndërkohë, është urdhëruar Drejtoria e Burgjeve që të informojë gjykatën për arsyet e mosnjoftimit të Erion Veliaj për seancën e kësaj dite.
Gjatë seancës, avokati i Veliajt kërkoi respektimin e të drejtave procedurale, duke theksuar se i pandehuri duhet të njoftohet në mënyrë të rregullt dhe të shprehë vullnetin e tij për pjesëmarrje në proces.
