Është mbyllur seanca e kësaj të enjteje në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për gjykimin në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi. Gjykata vendosi të shtyjë seancën, ndërsa procesi do të vijojë më 29 korrik, në orën 10:00.

Gjatë seancës, Monika Kryemadhi ngriti një sërë pretendimesh për shkelje procedurale, duke deklaruar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha provat mbi të cilat është ndërtuar akuza. Ajo kërkoi procesverbalet e ekspertimit të telefonit, duke pretenduar se mungojnë nga fashikulli dhe se kjo i ka cenuar të drejtën për një mbrojtje të plotë dhe të barabartë. Kryemadhi tha gjithashtu se disa prej skedarëve të dorëzuar nuk hapen dhe kërkoi të dijë me çfarë vendimi është kryer ekspertimi i telefonit, kush e ka realizuar dhe në çfarë date, duke theksuar se akuza mbështetet kryesisht mbi mesazhet e nxjerra nga ai aparat.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, deklaroi se të gjitha aktet e ekspertimit dhe procesverbalet e këqyrjes së telefonave ndodhen në fashikujt përkatës të çështjes dhe janë vënë në dispozicion të gjykatës. Ai sqaroi se telefoni në fjalë është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit dhe se organi i akuzës nuk mund të konfirmojë nëse ai ka qenë në përdorim të Monika Kryemadhit. Edhe mbrojtja e Kryemadhit kundërshtoi procedurat e ndjekura nga SPAK, duke pretenduar se nuk është njoftuar për kryerjen e ekspertimit dhe se ende ka prova që nuk i janë vënë në dispozicion.

Në deklarimet e saj, Kryemadhi e cilësoi akuzën si “seksiste”, duke kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur roli i saj në dosje dhe duke mohuar se ka pasur komunikime me Ilir Metën lidhur me çështjen e Adrian Shatkut. Ajo ngriti gjithashtu pretendime për hetim të njëanshëm, duke përmendur edhe emra të tjerë që, sipas saj, nuk janë pyetur nga organi i akuzës. Në përfundim të seancës, Gjykata vendosi ta shtyjë shqyrtimin e çështjes për 29 korrik, në orën 10:00, kur pritet të vijojë procesi në themel.