Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 7 maj seancën për “sterilizimin” ndaj ish-ministrit Ili Beqaj dhe të akuzuarve të tjerë. Në sallë nuk ishte i pranishëm Ilir Beqaj dhe as avokati i tij, Ermal Yzeiraj, raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat.

Përmes një maili, Yzeiraj informonte gjykatën se nuk mund të paraqitej për shkak të një angazhimi akademik. Nga ana tjetër, ai informoi gjithashtu se bashkëshortja e Beqajt e kishte vënë në dijeni se gjendja shëndetësore e ish-ministrit nuk ishte e mirë, pasi hernia ishte rënduar dhe se nuk mund të paraqitej në gjyq.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 5 akuza, korrupsion pasiv i zyrtarëve, mashtrim, falsifikim, shkelje e barazisë në tendera dhe fshehje e pasurisë për Ilir Beqajn dhe të pandehurit, Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.