Zhvarrimi i trupit të Denis Ruçit, djalit të Pano Ruçit, i cili qëndroi 23 ditë në grevë urie në Greqi, është shtyrë pas një kërkese të re të paraqitur nga avokati i familjes.
Autoritetet greke kishin dhënë më parë miratimin për zhvarrosjen dhe kryerjen e analizave toksikologjike dhe të ADN-së, pas kërkesave të përsëritura të familjes — çka çoi edhe në përfundimin e grevës së urisë së Pano Ruçit. Denis Ruçi humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor të Tempit, ku mbetën dhjetëra viktima, ndërsa familjarët e tij prej më shumë se një viti kërkojnë drejtësi dhe transparencë mbi rrethanat e ngjarjes.
Shtyrja e procesit synon të mundësojë caktimin e një këshilltari teknik nga ana e familjes, i cili do të marrë pjesë në procedurë, sipas urdhrit të Prokurorit të Policisë së Larisës. Familja ka kërkuar që në këtë rol të përfshihen ekspertë ndërkombëtarë, pasi — siç raportojnë burime të “Protothema” — ajo nuk i beson plotësisht autoriteteve dhe mjekëve ligjorë grekë.
Zhvarrimi ishte planifikuar fillimisht për 9 tetor, por do të zhvillohet në një datë të re që pritet të përcaktohet brenda dy ditëve të ardhshme. Sipas urdhrit të prokurorit, në procedurë do të marrin pjesë gjithashtu një mjek ligjor shtetëror dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale.
Në një intervistë për emisionin “Live News” të televizionit “Mega”, Pano Ruçi tha se familja ka emëruar tashmë konsulentët teknikë ndërkombëtarë, të cilët do të udhëtojnë drejt Greqisë sapo të vendoset data e re.
“Ne kemi emëruar konsulentët tanë dhe do të biem dakord për datën e ardhjes së tyre. Nuk i besojmë askujt në Greqi, bazuar në atë që kemi përjetuar. Duam që procesi të kryhet nga ekspertët tanë dhe në përputhje me ligjin,” deklaroi ai.
Sipas Ruçit, mostrat që do të merren gjatë zhvarrimit do të dërgohen edhe jashtë Greqisë për analiza të pavarura, në mënyrë që rezultatet të jenë plotësisht të besueshme.