Proceset 


Zvarritja e proceseve të rëndësishme gjyqësore në Shqipëri vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore të sistemit të drejtësisë. Avokatët vijojnë të jenë “problemi” më i madh për gjykatën dhe prokurorinë në një proces gjyqësor. Tashmë fenomeni është shfaqur në procesin “Dajti”, ndërsa më parë i njëjti shqetësim ka qenë në procesin “Gërdeci”, i cili u zvarrit për më shumë se tri vite, ku avokatët mungonin një e nga një. Skema është përdorur edhe nga avokatët e të pandehurve të bandave të Durrësit, proces i cili zgjati rreth pesë vite. Burime nga Ministria e Drejtësisë pohojnë për gazetën “Shqip” se tashmë kanë nisur procedurat për ndryshimet e ligjit “për avokatinë”, ku në projektligjin që do të kalojë në qeveri do të sanksionohen të gjitha masat ndaj avokatëve kryesisht që mungojnë në një proces gjyqësor. Pritet që në ligjin e ri të merren mendimet e palëve të interesuara, si të Gjykatës së Krimeve të Rënda, KLD-së (që përfaqëson gjyqësorin), Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat do të asistojnë dhe do të japin mendime për këto ndryshime. Shpeshherë, në raportet vjetore, kryesisht Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë kërkuar me forcë ndryshime në ligjin aktual për avokatinë, i cili nuk sanksionon në mënyrë të qartë ndëshkimet e avokatëve nëse nuk marrin pjesë në një seancë gjyqësore. s.ç