Një ditë pas shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, pesë anëtarët e Partisë Demokratike në këtë Këshill dolën sot me një deklaratë për mediat.

Gazment Bardhi theksoi se është hera e parë që një mbledhje shtyhet pa caktuar një datë të re, duke i bërë thirrje kryetarit Niko Peleshi të zbatojë ligjin dhe të thërrasë mbledhjen e radhës që në fillim të javës.

“Po tentohet të zvarritet ngjarja. Këshilli i Mandateve është mbledhur gjithmonë brenda 48 orë, ika dhënë kohë personit 48 orë dhe brenda 72 orësh ka miratuar kërkesën në seancë plenare. Ky është rasti i parë ku mbyllet mbledhja pa caktuar mbledhje tjetër.

Dje morëm dosjen e plotë të sjellë nga Prokuroria. Për 5 herë gjatë mbledhjes u tentua të intimidohen prokurorët që të pohonin në seancë që deputetët nuk mund të merrnin materiale, dua të vlerësoj integritetin e prokurorëve.

I bëj thirrje Niko Perleshit, zbato ligjin, rregulloren dhe kërko thirrjen e këshillit në fillim të javës për të dëgjuar argumentet apo mbrojtjen e të pandehurës Belinda Balluku. Të bëhet sa më shpejt që Prokuroria të kryej veprimet e mëtejshme”, tha Bardhi.