Qeveria shqiptare ka shpallur ditën e shtunë, 26 prill, ditë zie kombëtare, në nder të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe humane.
Sipas njoftimit zyrtar, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë si shenjë respekti dhe dhimbjeje për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë.
Gjithashtu, autoritetet i kanë bërë thirrje të gjitha mediave që të reflektojnë atmosferën e zisë kombëtare, përmes transmetimit të muzikës funebre dhe përmbajtjes së përshtatshme programore.
Ceremonia e përcjelljes së Papa Françeskut për në banesën e fundit do të mbahet po të shtunën në Vatikan, ku priten qindra mijëra pelegrinë nga e gjithë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit figurës që për vite me radhë mbushi botën me mesazhe paqeje, përulësie dhe shprese.
Shqipëria, një vend që gjithmonë ka vlerësuar dialogun ndërfetar dhe respektin për figurat shpirtërore botërore, i bashkohet kështu komunitetit ndërkombëtar në këtë moment zie dhe reflektimi.
VENDIMI:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.