Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka vijuar sot dëshminë e tij përpara autoriteteve, duke dhënë detaje të reja rreth vrasjes së Emiljano Ramazanit në vitin 2020, si dhe për rolin e të përfshirëve në këtë ngjarje kriminale.

Alibej ka pohuar se Dumani, i dyshuar si një nga autorët e ekzekutimit, nuk e njihte personalisht viktimën. “Unë ia kam treguar se kush ishte Emiljano Ramazani. I kam dhënë informacione edhe për Elio Bitrin. Nuk kishim një listë të caktuar për objektivat, i identifikonim dhe vepronim në bazë të rrethanave,” është shprehur ai.

Ai ka zbuluar gjithashtu rolin kyç të Xhuliano Hoxhës, të cilin e ka cilësuar si burimin kryesor të informacionit për lëvizjet e Ramazanit në ditën e vrasjes. “Nga momenti kur u nisëm për ekzekutimin e tij e deri sa ai doli nga palestra, Xhuliano ka qenë aktiv. Kemi komunikuar vazhdimisht në platformën SKY ECC. Për mua ishte një burim i besueshëm,” ka deklaruar Alibej.

Për këtë vrasje, sipas tij, është realizuar edhe një pagesë e konsiderueshme. “Kam komunikuar me Nuredinin për pagesën. Kam dërguar Arsen Preçin te rrethi pranë TEG-ut me 80-85 mijë euro. Lekët i ka marrë një vajzë që kishte shkuar atje me taksi.”

Alibej ka përmendur sërish Xhuliano Hoxhën edhe në lidhje me planifikimin e vrasjes së Bujar Çelës, ku sipas tij, informator ka qenë po i njëjti person. Për ekzekutimin ishin ngarkuar Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj, por sipas tij, nuk dihen arsyet pse ata janë tërhequr nga plani.