Arrestimi i të dyshuarit shqiptar për trafik droge, Ervin Mata, në Brazil ka rikthyer vëmendjen te roli në rritje i grupeve kriminale ballkanike në trafikun ndërkombëtar të kokainës në Amerikën Latine.
Sipas një analize të publikuar nga Insight Crime, Mata u arrestua më 26 prill pranë São Paulos dhe dyshohet se shërbente si lidhje mes furnitorëve të Amerikës së Jugut dhe blerësve europianë të kokainës.
Raporti thekson se grupet kriminale nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi janë kthyer në aktorë kyç në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave në rajon.
Ndryshe nga kartelet tradicionale latino-amerikane, grupet ballkanike nuk synojnë kontroll territorial, por fokusohen te menaxhimi i rrugëve të trafikut, logjistikës dhe lidhjeve mes prodhuesve të kokainës në Amerikën e Jugut dhe tregjeve në Europë.
Sipas analizës, këto organizata funksionojnë kryesisht përmes rrjeteve familjare dhe aleancave të biznesit.
Për negociatat me prodhuesit e drogës, ata dërgojnë përfaqësues në vende si Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori, ku ndërmjetësojnë blerjet dhe bashkëpunojnë me grupet lokale që merren me transportin e drogës.
Autoritetet shqiptare dyshojnë se Ervin Mata ishte një prej këtyre emisarëve.
Në raport përmendet edhe emri i Dritan Rexhepit, i cilësuar si figurë kyçe e organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”.
Sipas analizës, Rexhepi vazhdoi të koordinonte trafikun e kokainës nga burgu në Ekuador deri në lirimin e tij në vitin 2021. Ai u arrestua më pas në Turqi në vitin 2023 dhe aktualisht po përballet me gjyq në Shqipëri.
Raporti përmend edhe “Klanin Farruku”, një organizatë shqiptare me bazë familjare që dyshohet se koordinonte trafikun e kokainës mes Ekuadorit dhe Spanjës.
Një tjetër emër i përmendur është Dritan Gjika, i cili sipas raportit ndërtoi lidhje direkte me prodhues kolumbianë të kokainës dhe përdori kompani eksporti bananesh për të fshehur trafikun e drogës drejt Europës.
Gjika u arrestua në Abu Dhabi në vitin 2025 dhe pritet të ekstradohet në Ekuador, ku akuzohet për krim të organizuar dhe korrupsion.
Përveç trafikut të drogës, analiza thekson se grupet kriminale ballkanike janë përfshirë edhe në pastrimin e parave përmes kompanive, kazinove dhe bizneseve luksoze në vende të Amerikës Latine.
