Në një operacion të zhvilluar që në orët e para të mëngjesit të sotëm, SPAK dhe BKH ekzekutuan disa urdhër-arreste, mes tyre edhe ndaj Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Përveç arrestimeve, u sekuestruan edhe pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme, përmes dokumenteve të falsifikuara.

Sipas hetimeve, bëhet fjalë për 11 prona me sipërfaqe totale 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj në Durrës, të cilat janë regjistruar përmes skemave të falsifikimit. Dyshohet se Laho ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal, me anëtarë të tjerë si V.M (alias V.K), A.B, V.B dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Skema e falsifikimit

Hetimet kanë zbuluar se grupi përdorte një mekanizëm të sofistikuar falsifikimesh, që përfshinte:

  • Prodhimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) të falsifikuara ose të manipuluara,
  • Futjen e tyre në mënyrë ilegale në arkivat e ish-ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime zyrtare,
  • Heqjen dhe zëvendësimin e fletëve të regjistrave të pasurive të kategorisë “pyll” ose “pa frut” me dokumente të reja ku pasqyroheshin si “tokë arë”,
  • Krijimin e praktikave të falsifikuara të rivlerësimit të pronës, me qëllim kalimin në fazën e shitjes apo dhurimit.

Prona të tëra regjistroheshin në emër të banorëve lokalë të zonave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët shpesh nuk kishin asnjë dijeni se ishin bërë “pronarë” të tokave. Në fund, këto prona shiteshin tek individë apo kompani të interesuara për investime në bregdetin e Lalëzit dhe Shetajit, në zona si Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit.

Arrestimet dhe akuzat

Nga operacioni u arrestua Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i akuzuar për:

  • “Falsifikim dokumentesh” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal,
  • “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”,
  • “Korrupsion aktiv ndaj personave me funksione publike” dhe “korrupsion aktiv ndaj dëshmitarëve apo ekspertëve”, kryer në bashkëpunim.

Ndryshe nga i vëllai, Muça është përmendur rrallë në të kaluarën, përveç një episodi në vitin 2016 kur u konfliktua me biznesmenin Fuad Mitri.

Ndërkohë, Aleksandër Laho (“Rrumi i Shijakut”) vijon të jetë në kërkim. Ai është i njohur për drejtësinë shqiptare si i përfshirë në raste të tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit dhe në pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj. Laho është plagosur edhe në atentatin ku mbeti i plagosur ish-prokurori dhe aktualisht deputet, Arian Ndoja.