Si janë zhvilluar ndër vite protestat në vendin tonë dhe çfarë kanë sjellë ato? Kjo ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin Top Story në Top Channel, me një panel analistësh që sollën këndvështrimet e tyre. Sipas Lorenc Vangjelit, protesta ka rrëzuar disa mite që lidhen me pjesëmarrjen qytetare dhe ka treguar rëndësinë e protestave paqësore.

“Është dëgjuar shpesh të thuhet që ky popull nuk e ka nervin e protestës. Nuk është kështu, në fakt. E ka dhe, në thelb, nuk ndryshon nga asnjë popull evropian në qasjen ndaj padrejtësisë. Kjo thuhet kryesisht nga opozita, por populli nuk i ndjek, sepse opozita nuk i përfaqëson. Kjo protestë, pavarësisht shumë dritëhijeve, një gjë e ka realizuar, që është shumëplanëshe. Ka thyer mitin që shqiptarët nuk protestojnë, ka thyer mitin e plotfuqisë së një kryeministri, ka thyer mitin e pretendimit se klasa politike tentonte të shitej si përfaqësuese. Kjo protestë na dëshmoi rregullin e artë që protestat paqësore janë më të dobishme se ato të dhunshmet. Në protestat ndër vite, ato që kanë qenë paqësore kanë realizuar qëllimet e tyre”, tha Lorenc Vangjeli.

Aleksandër Çipa u ndal te karakteri i protestës dhe mënyra se si ajo është zhvilluar në raport me protestat e mëparshme.

“Dy kahet e politikës krijuan një stanjacion politik dhe premtuan revolucion paqësor, dhe masa që u bashkua, sidomos në këto ditë, ka të bëjë me këtë gjë. E dyta, kjo është protesta më e gjatë në afat kohor që ka përjashtuar qytetet e tjera. Kjo është protesta e vetme që është përqendruar në kryeqytetin e vendit. Kjo është protesta më e suksesshme, ndonëse nuk kemi arritur në produktin e dëshiruar”, u shpreh Aleksandër Çipa.

Ndërsa Ergys Mërtiri theksoi se forca e protestës qëndron te karakteri i saj qytetar dhe pakënaqësia e gjerë ndaj klasës politike.

“Pika e fortë është se këtë protestë nuk ke ku e kap, duke qenë se nuk i përket dikujt. E vetmja mënyrë është të kapësh gjithë njerëzit, tek e tek. Kjo mungesë organizimi, nga ana tjetër, sjell edhe një lloj kaosi dhe lë faktorë që ta sulmojnë. Një protestë e tillë duhet të jetë dhe kështu është, popullore, dhe brenda bart gjithçka, qoftë edhe probleme. Emëruesi i përbashkët që sjell njerëzit atje është pakënaqësia e thellë ndaj qeverisjes, madje ndaj sistemit politik, opozitës dhe pozitës bashkë. Elita politike nuk na përfaqëson më. Populli ka dalë dhe thotë që nuk na përfaqësoni më”, tha Ergys Mërtiri.