Detaje të reja janë zbarhdur nga hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Laç.
Mësohet se i arrestuari Klevis Ndreca 28 vjeç ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn 26 vjeç, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj 26 vjeç dhe Gerald Bitrin 24 vjeç.
Të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Pas konfliktit për prekjen e pasqyrave të makinës, ata e kanë lënë të takohen e të sqarohen pak më tutje, në rrugën ku ndodhi edhe ngjarja.
Sapo kanë zbritur nga makina, Ndreca ka nisur të qëllojë me armë dhe Gjeloshi i është kundërpërgjigjur.
Ndreca ka plagosur Gjeloshin, Ismailajn dhe Bitrin i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. Nga të shtënat, i plagosur aksidentalisht mbeti edhe shoku i tij Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante.
Ndërkohë arma që u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes i përket 26-vjeçarit Daniel Gjeloshi. Klevis Ndreca është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes, ku ka dorëzuar edhe armën e krimit. Në dëshminë e tij paraprake, Ndreca ka deklaruar se ka qëlluar me armë drejt të rinjve sepse është trembur, pasi sipas tij i ka parë që kanë pasur armë dhe kanë dashur ta godasin.




