Kokëfortësia dhe dëshira për aventurë e disa turistëve të huaj i kushtoi jetën kapitenit të anijes “Drini”, Arben Anamali. 51-vjeçari u hodh në ujërat e liqenit të Shkodrës për të shpëtuar jetët e tyre, por fatkeqësisht nuk mundi të shpëtonte të vetën.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, kur Anamali kishte nisur lundrimin nga Shiroka drejt Zogajve me 15 turistë nga Izraeli në bord. Pavarësisht paralajmërimeve të kapitenit për rrezikun nga era e fortë, pesë turistë këmbëngulën të hidhnin në ujë për t’u larë.

Anamali tentoi t’i ndalonte disa herë, por nuk u dëgjua. Turistët u hodhën në ujë, por shumë shpejt humbën kontrollin dhe filluan të kërkonin ndihmë, pasi era i largoi rreth 50 metra nga anija.

Kapiteni, i vetëm dhe i pajisur me dy komardare shpëtimi, u hodh menjëherë në ujë. Ai arriti të shpëtonte fillimisht tre prej tyre duke i afruar pranë anijes, më pas u kthye edhe për dy të tjerët. Të gjithë turistët arritën të hipnin sërish në anije, ndërsa vetë kapitenit i shteruan fuqitë dhe nuk mundi të kthehej më.

Trupi i Arben Anamalit ende nuk është gjetur, ndërsa kërkimet po vijojnë me polumbarë.

I njohur si mjeshtër i motorëve të barkave dhe kapiten i licencuar, Anamali punonte për Bashkinë Shkodër që prej 1 majit 2024, kur anijet turistike “Buna” dhe “Drini” u vunë në shërbim. Ai ishte baba i dy fëmijëve, një djali 17-vjeçar dhe një vajze 14-vjeçare.

Heroizmi i tij mbetet një dëshmi e rrallë e përkushtimit dhe sakrificës, që fatkeqësisht iu kushtoi jetën.