Janë zbardhur detaje të plota nga atentati tronditës i ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar, Rakip Gila, ka ndjekur fillimisht viktimat brenda një lokali dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Pas sulmit, ai është larguar përmes një dere dytësore dhe ka ecur me armën në dorë për rreth 300 metra, nga zona e lokalit në rrugën “Don Bosko” deri në lagjen Perash.

Në përpjekje për t’u larguar, Gila ka grabitur një automjet, duke i vendosur armën në kokë drejtuesit të makinës dhe duke e detyruar të zbresë. Me skafandër në kokë, është futur në makinën e grabitur dhe ka tentuar të largohet, por është përfshirë në një aksident rrugor në zonën e Sarreqit.

Pas aksidentit, ka vijuar arratisjen në këmbë, por policia ka mundur ta ndalojë dhe arrestojë poshtë shinave të trenit, në zonën e shtratit të lumit Kir.

Kujtojmë se nga atentati mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa Erogen Vaso (Brajoviq) dhe Meri Kaceri u plagosën.

Policia ka arrestuar menjëherë pas ngjarjes autorin e dyshuar, Rakip Gila, një tjetër emër i njohur për drejtësinë, i cili rezulton të jetë arrestuar edhe në vitin 2023 për mbajtje pa leje të armatimit dhe pajisjeve të përdorura nga grupet kriminale.