Popullsia e Shqipërisë është ende relativisht e re dhe numri i personave të moshuar relativisht i ulët, por kjo gjë mund të ndryshojë shumë shpejt. Të gjitha të dhënat kanë treguar në mënyrë të pashpjegueshme se shqiptarët po plaken, emigrojnë dhe se kanë më pak fëmijë, ashtu si njerëzit në pjesën tjetër të rajonit.

Në vitin 1958, gratë shqiptare kishin një mesatare prej 6.5 fëmijë, e në këtë mënyrë edhe popullsia shpërtheu. Por një gjë e tillë nuk ndodh vitet e fundit.

Gjatë vitit 2018, lindën 28.934 foshnje, duke pësuar një rënie prej 6,3%, krahasuar me një vit më parë. Për herë të parë, numri i foshnjave të lindura ra nën nivelin 30 mijë. Numri i vdekjeve në 2018 ishte 21.804 persona, duke pësuar një rënie prej 1,9%, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore është përkeqësuar pasi rënia e lindjeve ishte më e lartë se rënia e vdekjeve.

Diferenca ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, ajo që përcakton shtesën natyrore të popullsisë, është duke ngushtuar me shpejtësi vit pas viti, duke lajmëruar se shumë shpejt numri i vdekjeve në Shqipëri të jetë më i lartë se i lindjeve. Kjo do të çonte popullsinë e vendit në rënie pa kthim, pa marrë në konsideratë fenomenin e emigracionit.

Teksa numri i lindjeve po ulet me shpejtësi, numri i vdekjeve është stabilizuar në rreth 2-22 mijë në vit. Por plakja e popullsisë do të ndryshojë shumë këtë tendencë me rritje të numrit të vdekjeve, edhe pse jetëgjatësia po rritet.

Nga ana tjetër mosha mesatare e shqiptarëve po rritet. Në intervalin kohor të nëntë viteve, është rritur për më shumë se katër vjet nga 32.6 në 2011 në 36.7 në 2019.