Në librin e tij më të fundit, ish-presidenti Bamir Topi ka hedhur dritë  mbi disa debate politike, në të cilat ai ka qenë dëshmitar. Ja se ccfarw tregon ai: Problemi i madh politik për Sali Berishën në të vërtetë ishte emri Fatos Nano, me të cilin kishin veç politikës, probleme të vjetra deri personale. Hyrja në Parlament u shoqërua me një interes të veçantë edhe nga trupi diplomatik, i cili ishte i pranishëm në lozhat e Kuvendit. Fjalën në emër të grupit e mbajta unë, fjalë në të cilën kishte elemente të dukshme që nënvizonin se beteja e ardhshme do të ishte në Parlament e jo në rrugë. Argumenti dhe logjika politike do të ndryshonin rrënjësisht mënyrën e sjelljes së grupit.

Grupi Parlamentar filloi shpejt të kompaktësohet. Nga një krah ishte "grupi" konservator i PD-së, që përbëhej nga deputetë e ish-drejtues dhe pjesa tjetër e pakompleksuar kishte një marrëdhënie të lirë dhe shumë sportive. Sidoqoftë, qëllimi ishte i njëjtë: beteja politike me qeverinë në Parlament. Pa kaluar shumë kohë erdhi dhe një përplasje batutash që Fatos Nano i kishte shumë për zemër, me natyrën e tij shpërfillëse. Gjatë fjalës së tij në foltore, pati një reagim nga ana ime, për të pavërtetat që Nano po hidhte në publik. I shqetësuar, por për ta shfrytëzuar e filloi ai batutën i pari:

– Bamir, që kur ke ndërruar profesion nuk po ndihesh mirë, – tha duke nënqeshur.

– Fatos, ti e di që profesioni im mund të jetë i vlefshëm për ty sot.- Më tej vazhdoi:

– Po ti je profesionist për kafshët, – duke iu referuar mjekësisë veterinare që unë kisha studiuar.

Po, – i thashë Fatosit, i cili më kishte dalë në shteg dhe vazhdova, – kjo madje është arsyeja pse po merrem me ty sot.

Ai nuk e priste, u nervozua dhe vazhdoi duke turfulluar çështjen për të cilën ishte ngritur për të folur. Pak kohë më vonë, kur beteja politike po zgjerohej dhe po bëhej më interesante, misioni ynë në Parlament kishte marrë pikërisht fizionominë e një politike që unë kisha ëndërruar. Debat, përplasje idesh dhe platformash politike, batuta të çastit që nuk priteshin keq në opinion. Kuvendi i kësaj periudhe kishte në përbërje përgjithësisht njerëz me emër të mirë në publik, ndonëse ishin rreshtuar në kampe të kundërta; intelektualë dhe njerëz me karrierë të gjatë në politikë dhe në profesionet e tyre. Sidoqoftë, në fokus mbetej Nano, tek i cili Berisha donte të përqendronte gjithë goditjen që, për fat të keq, përzihej me sulme personale, element i cili nuk ka qenë i preferuar nga unë.

Mënyra e sjelljes sime ishte për të bërë politikë goditëse me artikulim të fortë politik, pa fyerje për tema të forta me interes publik dhe pa qenë aspak e nevojshme për t’u marrë me karakteristikat individuale, për më tepër për t’u futur në familje e në disa raste për t’u marrë edhe me të vdekurit!!! Ndonjëherë, në këtë filozofi binin edhe ata të cilët nuk shquheshin për këtë tendencë. Në përfundim të një seance parlamentare të vitit 2002, ndërsa po largoheshim, Saliu kërkoi që të bisedojmë në zyrë. Sapo e takova, konstatova që ishte me humor të prishur nga debatet që kish pasur me Fatos Nanon në seancë parlamentare.

– Dëgjo, – më tha, – do të përgatitim një interpelancë me Kryeministrin. Do ta demaskojmë për apartamentin që ka marrë te "Shallvaret".

Në fakt, Nano, pasi doli nevoja për t’i lënë banesat e ishpronarëve, ishte treguar korrekt dhe ishte larguar nga banesa te zona e rrugës "Hoxha Tahsim", për t’ua dorëzuar të zotëve. Në këto kushte kishte marrë një apartament, për të cilin fliste Berisha. I takonte Fatos Nanos të justifikonte mënyrën e pagesave tek institucioni përkatës, por Berisha donte ta sulmonte politikisht.

– Nëse do të më dëgjosh, – i thashë Berishës, – të mos merremi në Parlament me një çështje të tillë në interpelancë, pasi ai është Kryeministër dhe diku do të banojë. Le të përgjigjet ligjërisht për mënyrën si e ka blerë, por nuk më duket rast për t’i ngritur topin, kur ka shumë gjëra të tjera që duhet të na përgjigjet.

– Dëgjo, – tha i nevrikosur, – po nuk e bëre ti, i marr firmat në grup.

– Mos shko në ekstrem. Të dhashë një mendim. Nuk je dakord? Vazhdojmë me idenë që ke!

Ditët në vazhdim u përpilua dhe u depozitua në Kuvend kërkesa për interpelancë, që u realizua brenda dy javësh, në një klimë tensioni politik dhe ku dy grupet parlamentare kishin ndarë kohën për të debatuar. Në fillim të seancës, Kryetari i Kuvendit, z. Servet Pëllumbi, njoftoi kërkesën dhe më ftoi ta paraqes në emër të grupit. E paraqita shkurt, pa e lexuar, për ta zhveshur nga terminologjia e ashpër me idenë që Fatos Nano t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë. Por jo.

Ai merr fjalën, që dikush ia kishte përgatitur. E nisi me argumentin e shifrave të apartamentit dhe duke konkluduar "ngatërroi" me qëllim mbiemrat duke thënë:

– Sali Topi dhe Bamir Berisha duan të më fusin sërish në burg, – dhe, duke iu drejtuar Berishës i tha që, – merre vesh njëherë e përgjithmonë se aseti më i madh për Fatos Nanon je ti Sali Berisha!