Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik, ndërsa siguria në institucionet e drejtësisë është vënë seriozisht në dyshim. Ngjarja e rëndë ndodhi brenda sallës së gjyqit në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku gjyqtari u qëllua me tre plumba nga një pistoletë që autori kishte arritur ta fuste në ndërtesë pa u zbuluar — një fakt që mbetet ende mister për autoritetet.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka ndaluar punonjësin e sigurisë së gjykatës, i cili kishte detyrën të kontrollonte hyrjen përmes skanerit të sigurisë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë si arriti autori, Elvis Shkëmbi, të kalonte armën e zjarrit pa u ndaluar dhe të hynte lirisht në sallën e gjyqit.

Të shtënat rezultuan fatale për gjyqtarin Kalaja, ndërsa dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, mbetën të plagosur. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të thella për mënyrën se si funksionon kontrolli i sigurisë në institucionet gjyqësore dhe për mungesën e mbrojtjes së figurave të drejtësisë në vend.