Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar 2 punonjës policie, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar dokumente për të mundësuar pranimin e Muçi Shaljanit në AMP.
Ata akzuohen se në bashkëpunim kanë përpiluar “Vërtetimin e Besueshmërisë” në rekrutimin Muçi Shaljani pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Në njoftimin e AMP-së Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor Ashim Zajmi me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
“Vërtetimi i Besueshmërisë” është një proces ligjor i kontrollit dhe verifikimit të figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, ose të kandidatëve që synojnë të punësohen në këtë strukturë. Ky proces bëhet për të garantuar integritetin, moralin dhe ligjshmërinë e sjelljes së punonjësve të policisë.
Muçi Shaljani, u plagos dje gjatë një atentati pranë Aeroportit të Rinasit teksa drejtonte një makinë luksoze me pasagjer Gilmando Danin, i cili mbeti i vdekur në vendngjarje.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin Muçi Shaljani, pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të Shajlanit, u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.




