Detaje të reja janë zbardhur nga skema e mashtrimit me inteligjencë artificiale, ku një 70-vjeçar, pronar i një exchange-i në Tiranë, u bind të dorëzonte 100 mijë euro.
Për ngjarjen janë arrestuar Brian Serica dhe Skerdi Meta, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas të dhënave autorët dyshohet se kanë përdorur identitetin e biznesmenit të njohur Bashkim Ulaj për të bindur pronarin e exchange-it se kërkesa për paratë ishte reale.
Dy të rinjtë kanë shkuar në biznesin e 70-vjeçarit dhe i kanë treguar në telefon një video-call, ku shfaqej një person që dukej si Bashkim Ulaj. Sipas skemës së përdorur, ai pretendohej se kishte nevojë për një shkëmbim valutor dhe i kërkonte 70-vjeçarit t’ua dorëzonte shumën personave që ndodheshin aty.
Në video, personi që shfaqej si Ulaj i premtonte pronarit të exchange-it se paratë do t’i ktheheshin brenda pak orësh.
Por, pasi koha kaloi dhe shuma nuk u kthye, 70-vjeçari kontaktoi vetë Bashkim Ulajn. Biznesmeni mohoi të kishte komunikuar me të apo të kishte kërkuar ndonjë shumë parash.
Në këtë moment, 70-vjeçari kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi dhe njoftoi Policinë.
Hetuesit analizuan pamjet e kamerave të sigurisë dhe kryen verifikime të tjera, duke dyshuar se videoja e përdorur në video-call ishte krijuar përmes inteligjencës artificiale, duke imituar imazhin e biznesmenit.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të skemës, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e mënyrës se si është realizuar mashtrimi.
