Drejtori i Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka qenë i pranishëm në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku ka folur dhe në lidhje me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Merkaj tha se reagimi i institucionit që ai drejton ka qenë i menjëhershëm, në lidhje me përfshirjen e punonjësit të AMP-së në këtë ngjarje të rëndë, ndërsa ai ka kërkuar verifikim të të gjithë trupës.  Merkaj u shpreh se AMP ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, në mënyrë që të hetohen të gjithë personat që mund të kenë shkelur ligjin gjatë punësimit të Shaljanit.

“Realisht ishte një situatë shumë e rëndë, janë marrë masa për të gjithë punonjësit brenda institucionit, qoftë për emërimin, qoftë për kontrollin që duhet të ishte bërë. Ne kemi bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, mbi praktikën që është ndjekur për punësimin e tij. Kam marrë masa të drejtpërdrejta, jo më larg se sot një person është përjashtuar nga AMP. Sapo kam marrë detyrën kam kërkuar kontrollin e të gjithë punonjësve të AMP, kam kërkuar shkëmbim informacioni me agjensi të tjera në lidhje me punësimet”, u shpreh Merkaj.

Drejtori i AMP vijoi më tej duke thënë se në procedurën e punësimit të Shaljanit janë vënë re parregullsira, dhe për të shmangur një konflikt interesi nga vetë punonjësit e AMP-së, është kërkuar ndërhyrja nga Prokuroria e Tiranës.