Shqipëria u bë sërish pjesë e sulmeve kibernetike, kësaj here hakerat arritën të penetronin deri në serverat e postës elektronike të Kuvendit. 

“Ky është një dështim”, u shpreh eksperti i IT Erion Demiri.

Grupi i hakerave “HomeLand Justice” ka pranuar autorësinë e sulmit, por ekspertët e IT mendojnë të kundërtën duke thënë se kësaj here goditja kompjuterike nuk erdhi nga Irani.

“Duket i çuditshëm fakti që paçka që po ndodhin gjëra më të rëndësishme në terren në Iran, kemi një grupim të dedikuar kundër Shqipërisë”, u shpreh eksperti Demiri.

“Nuk është e thënë që ka ardhur nga Irani, mund të jenë edhe grupime hakerash global të paguar për të krijuar sulme në Shqipëri”, u shpreh eksperti Tom Kallanxhi.

Edhe pse  në një reagim të kuvendit thuhet se piratët kibernetike nuk ka fshirë asnjë të dhënë, specialistët thonë se kësaj here sulmi arriti deri në zemrën e serverit.

“Pamë një sasi të madhe videosh që tregojnë aksesin në servera të cilët më pas mund t’i fshijnë të gjithë materialet brenda”, tha eksperti Erion Demiri.

Komunikimet e qeverisë shqiptare ranë në duart e sulmeve të rrjeteve pas një gabimi njerëzor.  

“Mund të jetë sulmuar me social ingenerik. Janë mbajtur në monitorim ata persona që kanë akses në këto servera dhe janë ingjineruar për të parë gabimet dhe email-et.  E më pas këto gabime i kanë përdorur për të krijuar sulmin”, tha eksperti Kallanxhi.

Vendi ynë ka rënë shpesh pre e sulmeve kibernetike, kjo pasi nuk aplikohet infrastruktura e duhur teknologjike.

“Duhet të mbrohemi më mirë në një mënyrë më të organizuar dhe jo që secili institucion të ketë IT e vet që menaxhojnë serverart e vet”, u shpreh eksperti Kallanxhi.

“Skuadrat që janë përgjegjëse për të mbrojtur këtë infrastrukturë nuk kanë bërë punën e tyre”, tha Demiri.

Ky sulm u bë njohur vetëm një ditë më parë në aplikacionin telegram ku hakerat publikuan , foto që shfaqin e-maile të administratës së Kuvendit dhe mbajnë datën 3 mars të vitit 2026.

Top Channel