Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një shkrese zyrtare drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka shprehur falenderimet për Policinë e Shtetit lidhur me masat e marra për garantimin e mbarëvajtjes së vizitës së Sekretares së Shtetit të SHBA-së Hillary Clinton në Tiranë.
“Në emër të Ambasadës së SHBA në Tiranë, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Ju dhe punonjësit e Policisë së Shtetit Shqiptar për mbështetjen e dhënë në garantimin e mbarëvajtjes së vizitës së Sekretares së Shtetit” është shprehur në letrën e tij ambasadori i SHBA-së në Tiranë Alexander Arvizu.
Diplomati amerikan ka shprehur vlerësimet e tij dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë nga Policia e Shtetit. “Ndihmën Tuaj e vlerësojmë së tepërmi dhe Ju falenderojmë për mbështetjen e vazhdueshme” thekson Arvizu. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton vizitoi për disa orë Tiranën, më datën 1 nëntor ndërsa vizita e saj u zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
1 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)