Fshihen kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që nuk janë paguar në kohë nga fermerët. Sipas ligjit “Për fshirjen, e detyrimeve tatimore” që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti përfitues janë edhe kategoritë e të vetëpunësuarve në bujqësi, duke krijuar një lehtësi të konsiderueshme financiare për këtë segment.
Kjo nënkupton se kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi, nga data 1 tetor 1993 deri më 31 dhjetor 2024, mund të paguhen pa kamatëvonesa.
Sipas vendimit fermerët duhet të paguajnë një kontribut vjetor përkatësisht për zonat fushore: 38,400 lekë në vit dhe për zonat malore: 29,400 lekë në vit.
Në vendim parashikohet të shuhen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Përjashtim bën vetëm kontributi bazë, i cili duhet të paguhet.
Ndërkohë, pika 5 e nenit 6 parashikon shuarjen e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që të paguhet 100% e kontributit përkatës brenda datës 31 dhjetor 2026.
Pra, fermerët që kanë detyrime për këtë periudhë, mund të përfitojnë faljen e penaliteteve nëse shlyejnë të gjithë kontributin brenda afatit të përcaktuar.
