Gjatë sulmit ka mbetur i vdekur edhe kunati i presidentit Assad. Dhjetëra të plagosur në spital


Një kamikaz është vetëvrarë duke u hedhur në erë pranë pallatit të Sigurisë kombëtare në Damask, duke vrarë ministrin e Mbrojtjes, gjeneralin Dawoud Rajha dhe zëdhënësin e tij, njëkohësisht kunat i presidentit sirian, Assef Shawkat. Lajmi bëhet i ditur nga mediat televizive siriane, të cilat kanë sqaruar se atentati vetëvrasës ka ndodhur teksa zhvillohej takimi mes ministrave dhe zyrtarëve përgjegjës për sigurinë. Të plagosurit, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, janë transportuar në spitalin Shami, i cili tani ruhet nga Rojet republikane.


Mes të plagosurve është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Mohammad Ibrahim Al-Shaar. Ndërsa televizioni i Hezbollah e deklaron të vdekur, rrjeti televiziv i regjimit siguron se ministri Al-Shaar është gjallë dhe gjendja e tij është stabile.


Sipas agjencisë Sana, sulmi kishte për objektiv godinën e Sigurisë kombëtare, e cila ndodhet rreth 500 metra larg ambasadës amerikane. Autorësia e sulmit është marrë përsipër nga rebelët anti-Assad. “Ky është vullkani për të cilën kemi folur, sapo kemi nisur”, ka bërë të ditur zëdhënësi Qassim Saadedine. “Vullkani i Damaskut dhe tërmeti i Sirisë” është emri i operacionit të lançuar të hënën nga rebelët kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad. Por edhe Liwa al-Islam, një grup islamik, opozitar me regjimin, ka pretenduar në Facebook, autorësinë e sulmit.


Ndërkaq për të katërtën ditë radhazi Damasku është shndërruar në një teatër dyluftimesh mes forcave ushtarake të regjimit të Assad dhe rebelëve. Në distriktin e Dummar, një kazermë ushtrie, vetëm pak metra larg “Pallatit të Popullit”, është djegur nga opozitarët. Tanket dhe artileria e rëndë e regjimit kanë marrë pozicion në Barzeh dhe në lagjen qendrore të Midan. Përplasje të tjera janë regjistruar në lagjen perëndimore të Asali e Qadam, Hajar al-Aswad e Tadamun, zona me mazhorancë sunite, ku jetojnë edhe refugjatë palestinezë.


18 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)