Mediat kosovare raportojnë për disa viktima në një lagje, ku jetojnë persona me origjinë nga Kosova
Mediat kosovare kanë raportuar sot se nga bombardimet e forcave qeveritare në Damask janë vrarë disa arnautë, banorë vendas, me origjinë nga Kosova. Burime të gazetës “Kohaditore”, të afërta me arnautët e Sirisë, që përqendrohen në dy lagje në Damask: në Jug (Kadam) dhe në veri (Divanje), bëjnë me dije se dje, me rastin e operacionit disaditësh të “pastrimet e qytetit prej terroristeve”, ushtria siriane bombardoi dhe shkatërroi shumë shtëpi në pjesën jugore të Damaskut, ku gjendet “Lagjja e arnautëve”. Gjatë sulmit janë vrarë dhe plagosur dhjetëra persona, në mesin e tyre edhe Munir Arnauti (me origjinë nga Podujeva), e Behlul Arnauti (me origjinë nga Kalishani). Numri i saktë i viktimave mund të dihet vetëm pas tërheqjes së ushtrisë siriane prej kësaj pjese të Damaskut.
27 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)