Kryeministri Edi Rama njoftoi sot krijimin e Operatorit të Ujit (OKU), duke theksuar se situata aktuale nuk ofron shpresë për përmirësim pa një ndërhyrje të tillë.
Sipas Ramës, borxhet e larta, menaxhimi i dobët dhe politizimi i burimeve njerëzore në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, së bashku me mungesën e ekspertizës, e bëjnë të domosdoshëm këtë hap. Ai vuri në dukje se qeveria ka bërë investime të mëdha në sektor, por përparimi mbetet i pamjaftueshëm, sidomos në një kohë kur turizmi po rritet ndjeshëm dhe kërkesa për ujë është më e madhe.
Rama kujtoi se në vitin 2013, në katër zona furnizimi me ujë humbjet në rrjet arrinin rreth 70 për qind. Sot panorama është përmirësuar, por jo në nivelin optimal që kërkon situata aktuale e vendit.
Rama: S’kemi më asnjë arsye të besojmë zgjidhje tjetër veç një zgjidhje që na është sugjeruar edhe shumë vite më parë nga disa prej ekspertëve dhe eksperiencave që kemi realizuar në vende të suksesshme. Fragmentimi në emër të decentralizimit të sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë, borxhet e larta, paaftësia në menaxhim lidhur me politizimin ekstrem të burimeve njerëzore në këto ndërmarrje dhe mungesa e ekspertizës e shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje sollën situata shumë të pajustifikueshme.
Paaftësia dhe politizimi në ndërmarrjet për ujin e çuan situatën në gjendje të rëndë. Ne kemi bërë investime masive nga ana e qeverisë qendrore. Katër zona furnizoheshin me ujë 24 orë më 2013 dhe kishte 70 përqind humbje në rrjet, sot panorama është tërësisht ndryshe me atë që ishte.
Por nuk është mirë në raport me atë që ne duam. Vlora e nisi sezonin turistik në gjendje të papranueshme, ku në disa zona nuk kishte furnizim me ujë. Por kemi punuar dhe situata u përmirësua. Kemi probleme, të cilat presim t’i rregullojmë përmes OKU.