Presidenca njofton se kreu i shtetit Bajram Begaj po i ndjek me shqetësim përmbytjet dhe situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend.

Në njoftim, thuhet se Begaj është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve. Kreu i Shtetit fton qytetarët të mirëkuptojnë dhe bashkëpunojnë me ta me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja.

Presidenti i Republikës fton në mënyrë të veçantë banorët në zonat e përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për evakuim të shpejtë dhe të sigurt.

“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend. Jam në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile, si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve. Ftoj qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja. Ftoj në mënyrë të veçantë banorët e zonave të përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për një evakuim të shpejtë dhe të sigurt. Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka”-, shprehet presidenti.