Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 24 vatra zjarri, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë në monitorim. Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse.
Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren janë 140 efektivë të FA, 1 automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Malin e Dajtit, në Tiranë, situata vijon të mbahet nën kontroll, megjithëse zjarri mbetet aktiv në të dyja anët e kreshtës. Operacioni për izolimin e vatrës vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vakumone situata është nën kontroll dhe vatra është izoluar, ndërsa zona e Priskës vijon të jetë në monitorim. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon një prej operacioneve më të mëdha. Në terren janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 efektivë të Policisë, 30 efektivë të FA dhe dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë ndihmuar në pengimin e avancimit të zjarrit drejt banesave, ndërsa operacioni vijon për izolimin e plotë të vatrës.
Në Qafë Helmës, në kufirin Dibër-Bulqizë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Bruç të Matit vijon ndërhyrja në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Operacioni është përforcuar me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Në operacion marrin pjesë strukturat e MZSH-së, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët, të mbështetur nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të FA dhe 9 efektivë ushtarakë.
Në Fushë-Lajë të Pukës ndërhyrja vijon në terren të vështirë, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Në operacion janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe dy helikopterë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në të gjithë territorin, strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri, me fokus izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën dhe po koordinon veprimet me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet tokësore dhe ajrore mbeten të angazhuara në terren për ndërhyrje në çdo zonë ku situata e kërkon.
