Elbasani vijon të mbetet i paralizuar nga trafiku prej ditësh, ndërsa situata paraqitet gjithnjë e më problematike. Infrastruktura e dëmtuar në disa akse kryesore rrugore, së bashku me mbylljen e sheshit kryesor të qytetit, kanë rënduar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.
Qyteti është bllokuar pothuajse nga të gjitha hyrjet dhe daljet, me kolona kilometrike që shihen gjatë gjithë ditës. Në orët e mbrëmjes, qarkullimi rëndohet edhe më tepër në akset Tiranë–Elbasan, Cërrik–Elbasan dhe Librazhd–Elbasan.
Ardhja e emigrantëve për festat e fundvitit dhe lëvizjet e shumta sezonale e kanë kthyer Elbasanin në një nyje të vështirë për qarkullimin rrugor. Mungesa e bypass-it, si edhe e rrugëve dytësore që lidhin fshatrat përreth me qytetin, e komplikon më tej situatën.
Problematike paraqitet edhe unaza jugore e qytetit, ku duhet të koordinohen qindra mjete nga zonat rurale përreth, automjetet me destinacion Cërrikun dhe Gramshin, si dhe trafiku i rëndë në aksin Elbasan–Qafë Qanë. Ky aks është një lidhje e rëndësishme mes juglindjes së vendit, kryeqytetit, portit të Durrësit dhe pikave doganore të Qafë Thanës dhe Kapshticës.
