Situata paraqitet kritike në lagjen “Abaze” të Krujës, ku zjarri vijon të përhapet dhe flakët janë afruar pranë banesave të zonës.

Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa forcat zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga qytetarë të zonës, po punojnë për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit.

Kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Aulon Kalaja, ka bërë apel për ndërhyrje dhe mbështetje me mjete shtesë, duke kërkuar furnizim me ujë për zjarrfikësit që ndodhen në terren.

Sipas tij, situata në lagjen “Abaze” mbetet e rënduar, ndërsa ndërhyrja me mjete të rënda është e vështirë për shkak të infrastrukturës së pamjaftueshme rrugore në zonë.

Kalaja ka bërë të ditur se një automjet zjarrfikës ka arritur të pozicionohet vetëm në hyrje të lagjes, duke e komplikuar më tej përballjen me flakët që vijojnë të afrohen drejt banesave.