Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se gjatë orëve të natës reshjet kanë pasur intensitet të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren dhe përmirësimin e situatës së shkaktuar nga prurjet e larta ditët e fundit.

Si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet gradualisht, me ulje të vazhdueshme të niveleve të ujit në kanalet kryesore dhe dytësore. Në ultësirën perëndimore, ku prurjet kanë qenë më problematike, uji është tërhequr në një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqeve të përmbytura, duke i hapur rrugë rikthimit të funksionalitetit të plotë të sistemit të kullimit.

Në të njëjtën kohë, niveli i lumenjve është në rënie, ndërsa rrjedhat janë stabilizuar brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese, duke reduktuar rrezikun për dalje të mëtejshme nga shtrati.

Ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në qarqet Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje punën në terren, me fokus të veçantë në zonat më të ekspozuara, për të garantuar normalizimin e plotë të situatës dhe funksionimin optimal të infrastrukturës. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë monitorimin e vazhdueshëm dhe informimin e publikut në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm