Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata deri në orën 14:00 të 25 gushtit paraqitet e menaxhueshme. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 11 vatra, prej të cilave 5 janë aktive, 5 nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar.

Vëmendja kryesore e forcave operacionale është përqendruar në zonat ku zjarret vijojnë të jenë aktive. Në operacione janë angazhuar 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin ndërhyrjen me 20 efektivë dhe një helikopter.

Në Malin e Dajtit, në Tiranë, vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren janë 40 forca zjarrfikëse, 7 forca të ADZM dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Vatrat mbeten aktive, por nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Ballenjë të Dibrës, zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, ku janë angazhuar 5 forca të ADZM Dibër. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Vatra aktive vijon edhe në Qafën e Helmës në Bulqizë, ku situata po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës në Librazhd, zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd dhe, aktualisht, nuk rrezikohen banesat.

Ndërkohë, në Valikardhë të Bulqizës, operacioni vijon me një automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë. Forcat po punojnë për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.

Autoritetet raportojnë se zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë vetëm nën monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Situata me zjarret/ Mbrojtja: Pesë vatra aktive, vijon ndërhyrja