Sipas informacionit operacional të përditësuar më 29.08.2026, ora 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 214 forca operacionale, 6 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Situata më problematike paraqitet në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës përballë Farkës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim të zjarrit. Në terren operojnë 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, 20 efektivë të FA-së, ndërsa janë aktivizuar edhe 2 helikopterë.
Në Vajkal, Bulqizë, janë përqendruar forcat; operacioni mbështetet nga 1 helikopter dhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH-së, forcave pyjore dhe vullnetarëve.
Aktive mbeten gjithashtu vatrat në Qafë të Helmës, e cila monitorohet pa zhvillime dhe pa rrezik për zonat e banuara, si dhe në Sllatinë të Dibrës, ku janë angazhuar 78 forca të MZSH-së, pyjores, ADZM-së, bashkisë dhe vullnetarëve.
Vatrat në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë të izoluara ose nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa zjarri i raportuar në Delisuf, Vlorë, është shuar plotësisht pasi përfshiu rreth 2 ha me shkurre.
