Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 39 vatra zjarri në qarqe të ndryshme të vendit.

Sipas të dhënave të raportuara, 25 vatra janë shuar plotësisht, 3 janë vendosur nën mbikëqyrje, ndërsa 11 vatra mbeten aktive. Zonat ku vijojnë ndërhyrjet janë Tirana, Dibra, Lezha, Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Vlora.

Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës së fundit janë përfshirë 881 forca operacionale dhe 75 mjete zjarrfikëse, ndërsa në ndihmë të tyre kanë qenë edhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacionet ajrore janë mbështetur nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe një avion Air Tractor.

Për sot është planifikuar angazhimi i 380 ushtarakëve, dy helikopterëve dhe një avioni Air Tractor, me qëllim frenimin dhe shuarjen e vatrave që vijojnë të jenë aktive.

Situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar në Fier dhe Himarë. Autoritetet bëjnë me dije se rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa ekipet në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, si masë sigurie u evakuuan 36 persona. Zjarri preku gjashtë banesa, tre prej të cilave ishin të banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e strukturave në terren, duke e përqendruar ndërhyrjen te mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.