Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vizitoi sot Qarkun e Beratit për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve në zonën e Shpiragut, si dhe për të monitoruar operacionet ajrore që zhvillohen nga baza ajrore e Kuçovës, ku janë dislokuar edhe avionët e ardhur nga vendet partnere.

Gjatë inspektimit, Vengu informoi se vendi po përballet me një nga ditët më të nxehta të verës, me temperatura që kanë arritur deri në 44-45°C, duke favorizuar përhapjen e flakëve dhe vështirësuar operacionet e shuarjes. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 vatra aktive, nga të cilat 12 janë shuar, ndërsa 24 mbeten ende aktive.
“Operacionet nga ajri janë ndërprerë për shkak të errësirës, por do të rinisin në orët e para të mëngjesit,” deklaroi ministri, duke shtuar se puna në terren vazhdon pa ndërprerje me angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetare në të gjitha bashkitë e prekura.

Tre qarqet më problematike aktualisht janë Vlora, Dibra dhe Berati, ku ndërhyrjet ajrore dhe tokësore janë përqendruar intensivisht. Në veçanti, në zonat e Shpiragut dhe Paftalit, si dhe në fshatrat Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë dhe Kaninë, autoritetet janë në gatishmëri për të mbrojtur banesat, rrjetin energjetik dhe infrastrukturën urbane.

“Jemi në gatishmëri të plotë. Forcat janë në terren dhe po mbajnë nën kontroll situatën për të mos lejuar përkeqësim gjatë natës,” u shpreh Vengu.

Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e madhe të marrë nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, si dhe forcat ajrore italiane dhe kroate që po kontribuojnë me avionët Canadair në operacionet e shuarjes së zjarreve.

“Mbështetja e partnerëve tanë ka qenë e menjëhershme dhe e pakursyer. Mekanizmi europian është aktivizuar dhe vijon të jetë në gatishmëri për të ndihmuar në çdo nevojë që lind në terren,” përfundoi Ministri i Mbrojtjes.