Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë pasdite në Asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 2 të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi nevojën për një ristrukturim të Tiranës, duke theksuar se organizimi është elementi kryesor për administrimin e qytetit. Ai vuri në dukje se aktualisht pagat në sektorin privat po rriten, ndërsa ato në sektorin publik janë rritur në mënyrë të përsëritur.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu për ndërhyrjet e mundshme të shtetit në tregun e karburanteve. “Shteti duhet të garantojë rezervat për çdo rast dhe të ndikojë në çmimin e naftës duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm. Po ashtu, po përgatitemi të fusim disa risi teknologjike në tregun e naftës,” tha Rama.
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti të organizuar nga Partia Socialiste, ku u diskutuan edhe çështje të tjera të zhvillimit dhe menaxhimit të kryeqytetit.
