Flakët vazhdojnë të kërcënojnë disa zona të Qarkut të Beratit, me situatën më të rënduar që po shënohet në Bashkinë Poliçan dhe në fshatin Velçan.

Në zonën e mbrojtur, Rezervatin e Menaxhuar “Balloll” në Poliçan, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke përfshirë sipërfaqe të pyllit. Në terren po ndërhyjnë 1 mjet dhe grup i MZSH Poliçan, 1 mjet dhe grup i MZSH Dimal, 6 forca të AdZM Berat si dhe 30 trupa të ushtrisë, por situata mbetet e rëndë.

Në qytetin e Poliçanit dhe zonën Mbrakull, si dhe në fshatrat Rehovë dhe Vokopolë, gjendja paraqitet e qetë dhe po mbahet nën monitorim.

Ndërkohë, në fshatin Velçan të Bashkisë Berat, flakët po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe me shkurre. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës po përpiqen të vendosin nën kontroll situatën me 20 zjarrfikës, 3 mjete të MZSH Berat dhe 25 forca nga Bashkia.

Në Bashkinë Skrapar, vatra e zjarrit në zonën e Rripit të Strorës, fshati Orizaj, po digjet me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje po punojnë 6 zjarrfikës me 2 mjete të MZSH Skrapar, 5 banorë vullnetarë dhe 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.

Bashkitë Dimal dhe Kuçovë raportojnë situatë të qetë, pa vatra aktive zjarri.