Situata e zjarrit në Krujë vijon të jetë kritike, teksa flakët po përhapen me shpejtësi dhe po afrohen drejt zonave të banuara.
Banorët kanë ngritur alarmin për rrezikun që u kanoset shtëpive dhe bizneseve, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për vënien nën kontroll të vatrave aktive.
Në terren ndodhen Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, të cilët po ndjekin nga afër situatën dhe po koordinojnë operacionet e emergjencës për përballimin e zjarrit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Forcat e Armatosura dhe strukturat e Policisë së Shtetit, veçanërisht gjatë procesit të evakuimit.
Banorëve u kërkohet të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të vërë në rrezik jetën e tyre apo të pengojë operacionet e ndërhyrjes.
