Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonën e ish-Kënetës në Durrës, duke vënë në vështirësi të mëdha dhjetëra familje. Një prej banorëve ka arritur të lëvizë në lagjen e tij vetëm përmes një gomoneje të vogël, duke dëshmuar gjendjen e rëndë në zonë.
“Situata është katastrofë, nuk ka më keq. Është një rast i rrallë. Pa këtë gomone nuk dal dot, kemi fëmijë të vegjël dhe dëme të mëdha materiale në shtëpi”-, u shpreh ai.
Banori tregoi se gomonen e kishte blerë për fëmijën e tij për përdorim në det, por nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej ta përdorte brenda lagjes.
“Ndryshe nuk dalim dot. Kemi frikë nga rryma elektrike, dritat kanë ikur e kanë ardhur disa herë. Askush nuk ka ardhur të interesohet për çfarë po ndodh. Nuk kemi dalë dot as për të parë gjendjen përreth”-, tha ai.
Banorët e zonës së Kënetës shprehen se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi situata mbetet e rrezikshme, veçanërisht për familjet me fëmijë të vegjël.






