Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar sot lidhur me situatën kritike të krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët.

Ai u drejtua veçanërisht banorëve të Bashkisë Gramsh dhe Njësisë Administrative Skënderbegas, ku flakët janë më të rrezikshme, duke u kërkuar të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për ndihmën e vendeve mike, të cilat kanë dërguar helikopterë dhe pajisje të specializuara për shuarjen e flakëve.

“Me shqetësim të thellë po ndjek situatën kritike të shkaktuar nga zjarret, me të cilat po përballet vendi ynë. Në këto momente sfiduese dua të bëj thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga secili prej nesh, duke treguar kujdes, angazhim dhe përgjegjësi.

Ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Gramsh, Njësisë Administrative Skënderbegas, ku situata është edhe më kritike, të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë, të cilët po punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën, pronën, pasurinë. Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike.

Në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderoj të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shpreh mirënjohje të thellë për ndihmën që po marrim nga vendet mike, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara.”- thuhet në reagimin e Begajt.