Është përkeqësuar situata me jaret në zona përreth Tiranës, teksa flakët kanë djegur një banesë. Zjarri aktiv prej ditësh në Priskë të Madhe ka marrë përmasa të mëdha duke u përhapur me shpejtësi drejt Lundrës, Farkës së Madhe dhe Gurrës, ku përveç sipërfaqeve të shumta me bimësi e ullishte, ka djegur një shtëpi të pabanuar dhe ka detyruar evakuimin e tre familjeve.

Situata mbetet e rënduar edhe për blegtorët e zonës, pasi dhjetëra bagëti kanë mbetur të bllokuara në zonat pyjore të përfshira nga flakët. Operacioni i shuarjes po vijon me ndërhyrje masive nga toka dhe ajri, ku dy helikopterë po furnizohen me ujë në Liqeni e Farkës për të goditur vatrat kryesore.

Ndërkohë, forcat tokësore ndodhen në terren në gatishmëri të plotë për të izoluar flakët dhe për të ndaluar depërtimin e tyre në zonat e banuara, ndërsa tymi i dendur ka shkaktuar shqetësim të madh te popullsia lokale.