Vijon të jetë problematike situata me vatrat akive të zjarrit në vend, e veçanërisht në bashkinë e Finiqit.
Zjarri i nisur shtatë ditë më parë në Dhivër ka përfshirë mbrëmë edhe fshatin Leshnicë e Poshtme, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë djegien e disa banesave. Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, është marrë masa e evakuimit të banorëve.
Këtë të hënë zjarri vijon të përhapet drejt Leshnicës së Sipërme, ndërsa situata mbetet kritike. Autoritetet dhe forcat zjarrfikëse janë në terren, por përballen me vështirësi për shkak të terrenit të thyer dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve. Ministria e Mbrojtjes njofton se forca të reja janë vënë në veprim për të vënë nën kontroll flakët.
Dy helikopterët “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur këtë të hënë në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend. ekuipazhi arab do të bashkëpunojë me forcat shqiptare për të përballuar situatën.
Ndërkohë, që prej orëve të para të mëngjesit, avioni kroat “Canadair” ka nisur të veprojë për izolimin e vatrës së zjarrit në Synej të Rrogozhinës. Po ashtu, helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake që operojnë nga Baza e Kuçovës janë nisur këtë mëngjes drejt Gramshit.


