Situata nga zjarret vijon të jetë alarmante në disa zona të Matit dhe Bulqizës, ndërsa flakët kanë shkaktuar dëme në banesa dhe ambiente të përdorura për mbajtjen e bagëtive.

Në zonën e Trodhnes, në njësinë administrative Ulëz të Bashkisë Mat, zjarri vijon të jetë aktiv. Gjatë natës, flakët kanë përfshirë disa stane barinjsh, duke djegur kasolle, ambiente për bagëtitë, si edhe një banesë.

Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, ku prej katër ditësh një helikopter po operon në zonat e prekura nga zjarri deri në orët e vona të mbrëmjes, situata vijon të mbetet kritike.

Ndërkohë, një tjetër vatër është aktivizuar mbrëmjen e kaluar në fshatin Mallunxë, në njësinë administrative Lis. Forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve, pasi rrezikohen edhe banesat.

Problematike paraqitet situata edhe në Bashkinë Bulqizë, ku një vatër zjarri vijon të jetë aktive në malin e Lepurit. Forcat në terren po punojnë për neutralizimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.