Ndërsa debati për risitë në Kodin Penal po ndez kundërshtime nga juristë, politikanë dhe organizata të ndryshme, këtë herë edhe të burgosurit e sigurisë së lartë në Peqin kanë vendosur të bëhen pjesë e diskutimit.

Në një letër të dërguar për Ministrinë e Drejtësisë, grupin e ekspertëve dhe për Top Channel, disa të dënuar pretendojnë se propozimet aktuale janë të padrejta dhe kërkojnë ndryshime thelbësore.

Një nga pikat kryesore lidhet me burgimin e përjetshëm. Sipas tyre, lirimi me kusht nuk duhet të vijë pas 35 viteve, por pas 25 viteve, siç ishte në Kodin Penal të vitit 1997. “Për ju ngelëm gjithmonë kriminelë”, shkruajnë të burgosurit, duke argumentuar se standardet duhet të përshtaten me praktikat evropiane.

Në letër ngrihen edhe kundërshtime për mënyrën e llogaritjes së paraburgimit. Ata propozojnë që një ditë paraburgim të llogaritet si dy ditë dënim, duke e cilësuar të padrejtë barazimin e tij me arrestin shtëpiak.

Një tjetër kërkesë është aplikimi i gjysmë lirisë për të gjitha llojet e dënimeve, me argumentin se shteti, krahas masave më të ashpra si “41-bis”, duhet të ofrojë edhe alternativa më humane.

Të dënuarit kërkojnë gjithashtu që falja të mos mbetet vetëm në dorën e familjarëve të viktimave, siç parashikohet në draft, por të konsiderohet edhe si një e drejtë që mund të ushtrohet nga shteti. Në këtë pikë ata sjellin referenca nga librat e shenjtë, duke theksuar: “nuk ka engjëj në këtë botë mëkatare”.

Pjesë e kërkesës së tyre është edhe rishikimi i vendimeve gjyqësore, me pretendimin se reforma në drejtësi ka treguar ekzistencën e gjyqtarëve që kanë dhënë vendime të ashpra dhe të padrejta.