Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se administrimi i procesit zgjedhor nga KQZ është zhvilluar në mënyrë shembullore, duke garantuar standard dhe integritet të plotë.
Ai theksoi se KQZ disponon të gjithë dokumentacionin që konfirmon ligjshmërinë dhe transparencën e procesit.
Sipas Celibashit, e vetmja çështje që mbetet për t’u vlerësuar janë pretendimet që lidhen me mënyrën e dorëzimit dhe kthimit të zarfeve me vota, përmes postës, dhe nëse është respektuar plotësisht integriteti i votës së qytetarëve në këtë fazë.
Ilirjan Celibashi: Administrimi i këtij procesi nga KQZ është model. Duke thënë këtë, nuk dekurajoj askënd dhe respektoj të drejtën e gjithkujt për të kontestuar dhe për të prezantuar çfarë mbështet pretendimet e subjektit. Kemi të gjithë dokumentacionin që konfirmon atë që thamë, ky proces është zhvilluar model. Jap garanci që standardi e integriteti është i plotë. Jemi të gatshëm t’i japim përgjigje çdo lloj pyetjeje.
Nuk ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara. Mbetet të vlerësojmë pretendimet që lidhen me sa është respektuar integriteti i votës së qytetarëve në procesin e marrjes të zarfeve dhe kthimit të tyre përmes kthimit postar.
