Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin për çështjen penale nr. 36/1 të vitit 2019 ndaj të pandehurit Robert Myftari, i akuzuar për një sërë veprash penale të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe veprimtarinë kriminale të organizuar.
Pas shqyrtimit të provave dhe zhvillimit të procesit me rregullat e gjykimit të zakonshëm, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Albert Meça, Luljeta Kole dhe Gentian Marku, vendosi shpalljen fajtor të Myftarit për veprat penale:
-“Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë;
-“Grupi i strukturuar kriminal”;
-“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata vendosi bashkimin e dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar Robert Myftarin me 10 vite burgim. Vuajtja e dënimit do të nisë nga dita e arrestimit të tij për këtë procedim penal, dhe ai do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, në zbatim të Ligjit nr. 81/2020.
Gjykata gjithashtu vendosi konfiskimin e një mjeti lundrues të tipit gomone, të regjistruar fillimisht në emër të të pandehurit, dhe më pas në emër të shtetasit M.D., djali i të bashkëpandehurit Ilirjan Duçellari. Gomonia ishte sekuestruar nga policia shqiptare në nëntor 2015 me një ngarkesë prej rreth 800 kg lëndë narkotike dhe do të kalojë në favor të shtetit shqiptar.