Prej ditësh, pensionistët në Durrës po përballen me vonesa në marrjen e pensioneve, duke u paraqitur në zyrat e Postës Shqiptare pa mundur të tërheqin paratë në datën e caktuar apo edhe në ditët pasardhëse.
Në temperaturat e larta të këtyre ditëve, të moshuarit presin në radhë dhe, sipas dëshmive të tyre, kur mbërrijnë te sporteli marrin të njëjtën përgjigje: “Nuk ka para”.
Pensionistët shprehen se kjo situatë nuk është e re dhe se përsëritet pothuajse çdo muaj. Ata thonë se detyrohen të rikthehen disa herë në Postë për të marrë pensionin, i cili për shumë prej tyre është burimi kryesor për të përballuar ilaçet, ushqimet dhe shpenzimet e përditshme.
Sipas informacionit të bërë publik, vonesat në shpërndarjen e pensioneve lidhen me mungesën e fondeve. Shërbimi varet nga fondet që sjell filiali i Postës në Durrës, si dhe nga arkëtimet e tjera.
Situata vjen në një periudhë kur filiali i Postës Shqiptare në Durrës është përballur edhe me një tjetër çështje serioze.
Muajin e kaluar u denoncua mungesa e një fondi me vlerë rreth 700 mijë euro, ndërsa për këtë ngjarje u arrestuan drejtuesja e filialit, shefja e financës dhe arkëtarja. Të tria akuzohen për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur fatin e shumës së munguar, pensionistët në Durrës përballen çdo muaj me të njëjtin shqetësim dhe kërkojnë që pensionet e tyre të shpërndahen në kohë.
Për ta, kërkesa është e thjeshtë: të mos detyrohen më të sorollaten nëpër sportele për të marrë paratë me të cilat sigurojnë nevojat bazë të jetesës.
