Banorët e Kamzës po jetojnë mes frikës dhe pasigurisë për shkak të rasteve të përsëritura të dhunës nga persona me probleme të shëndetit mendor.

Një qytetar nga Kamza iu drejtua Fiks fare pikërisht për një problem të tillë në lidhje me një person me probleme të shëndetit mendor.
Ai është sulmuar dy herë nga i njëjti person, madje në njërin rast u godit me levë nga individi i diagnostikuar me çrregullime mendore.Denoncuesi, pronar i një lokalit ku dhe kanë ndodhur ngjarjet tregon se i njëjti person e kishte sulmuar dy herë. “Një herë më ka goditur në kokë, më ka thyer xhamat e lokalit. Sot më erdhi prapë, mori çfarë gjeti mbi banak dhe më gjuajti. Kam frikë të dal në rrugë, kam frikë të çoj fëmijën në kopsht,” – rrëfen i dëmtuari.
Ai ka vënë në dispozicion të emisionit Fiks Fare edhe pamje nga kamerat e sigurisë ku duket qartë dhuna e ushtruar nga personi me probleme të shëndetit mendor. Ai tregon se ndonëse ka bërë denoncime të shumta, nuk është marrë asnjë masë.
Sipas tij, policia i ka konfirmuar se agresori ka mbi 70 denoncime, por ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë veprim, pasi prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

Familjarët e autorit thonë se edhe ata janë në hall. Në një bisedë telefonike, vëllai i të sëmurit shprehet: “S’kam çfarë i bëj. Spitali e mban pak ditë dhe e nxjerr. Jemi të lodhur, na ndalon njerëz rrugës, por s’kemi asnjë zgjidhje.”
Në një reagim për Fiks Fare, Shërbimi Social Shtetëror thotë se për personat me probleme të shëndetit mendor ekzistojnë vetëm dy forma trajtimi: shtrimi i përkohshëm në spitalin psikiatrik dhe ndjekja ambulatorë.

“Në Shqipëri mungojnë qendrat rezidenciale afatgjata për këta individë. Pasi përfundon trajtimi spitalor, personat rikthehen në komunitet, ku shpesh nuk marrin kujdesin e nevojshëm. Kjo sjell pasoja të rënda për ta dhe për komunitetin rreth tyre,” – thuhet në reagimin zyrtar.

Ekspertët e fushës theksojnë se kjo mungesë strukturash po e kthen problemin e shëndetit mendor në një çështje sigurie publike, sidomos në zona urbane si Kamza, ku incidentet janë të përsëritura dhe shpesh të dhunshme.
Në mungesë të strukturave të përshtatshme, rreziku mbetet i lartë, ndërsa qytetarët kërkojnë mbrojtje dhe zgjidhje urgjente nga autoritetet për të garantuar sigurinë publike.