Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe mbështetjen e Bashkimit Europian në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu angazhimin e von der Leyen dhe të Komisionit Europian për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe BE-së, duke e cilësuar këtë mbështetje si vendimtare për përparimin e procesit të integrimit.

“Prekëm rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus. Do të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë Ukrainën. Pasi aty përveç të tjerash zhvillohet një përplasje mes një mënyra të të parit të botës, dhe bashkëjetesës, njëra si pjesë e BE dhe tjetra që i kërcënon parimet e demokracisë. Falënderoj BE, jo për protokoll apo formalitet. Por për faktin se puna që po bëjmë për të çuar para proceset e brendshme të lidhura me reformat, apo kapitujt dhe negociatat, s’do të ishte e suksesshme pa mbështetjen e vazhdueshme të komisionit dhe partnerëve brenda komisionit që nderveprojnë çdo ditë me ekipin tonë. Falënderoj presidenten që jo vetëm kthehet në rajon dhe Shqipëri, por rikthehet e palëkundur për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.”, tha Rama.